Çfarë do të thotë të kërkosh lirinë e Palestinës sot?

Fatime Avatar

Të kërkosh lirinë e Palestinës sot kërkohet parësisht të jesh vetë i lirë.


Më shumë se ç’do gjë tjetër, mes thirrjeve për drejtësi e ndalim të pushtimit mizor të sionistëve përballë zhurmës së gjinkallave nga heshtja vrastare e botës, populli palestinez po na vërteton se në të gjithë botën mbarë, të vetmit plotësisht të lirë jane ata. Ironike se si një popull i pushtuar në mënyrën më ç’njerëzore i jep leksion botës sot se ç’do të thotë të jesh në fakt i lirë.

Mësojmë për nocionin e lirisë që në kopësht. “Liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit” është sllogani mbi slloganet e të drejtave të njeriut, të cilat i mësojmë që pa ditur mirë të lexojmë ABC-në. Ndësa sot ngjarjet në Gaza po vënë botën perëndimore me shpatulla për muri duke gjykuar lirinë e predikuar në vendet më demokratike në botë, aty ku vende si Shqipëria ende ëndërrojnë që “kur të rriten të bëhen si Europa”. Qindra e mijëra qytetarë me ndërgjegje ende të gjallë kanë pushtuar sheshet kryesore të kryeqyteteve europiane prej disa javësh, të gjithë me një kërkesë të vetme: “Ndaloni bombardimet në Gaza! Jepini fund arrogancës së çmendur sioniste”. 

Tanimë është mbushur kupa- liria e tjetrit (Palestina) po përballet me spastrim etnik nga më agresivët të historisë njerëzore, kurse ‘liria ime’ (Izraeli) shkel e shtyn çdo ditë e më shumë kufinjtë e tij moralë, politikë e (ç)njerëzorë. Ndërkohë që Izraeli sionist, i themeluar mbi parimin ‘ti duhet të vdesësh në mënyrë që unë të jetoj”, për herë të parë i trembet ndërgjegjes njerëzore mbarë botën, më shumë se asnjëherë më parë. Si fëmija më i vogël i familjes, që hedh poshtë çdo rregull e parim të familjes nën preteksin se ‘mund të bëjë ç’ti dojë qejfi’, njësoj dhe Izraeli po përplas sot këmbët para nënës SHBA e babait Mbretëri e Bashkuar, duke dashur të tregojë se do të plotësojë tekat e tij pavarësisht çdo gjëje. Dhe prindërit SHBA dhe Mbretëri e Bashkuar, si shkaktarë e fajtorë të një fëmije të llastuar nga vetë ata që në ngjizje të tij, gjenden të tërhequr zvarrë në një luftë të padëshiruar në zemër të Lindjes së Mesme. Vetëm se tekat e tij përfshijnë vrasjen dhe masakrimin e mbi 10,000* njerëzve të pafajshëm, fëmijë, gra e të moshuar.

S’do shumë mend të dallosh padrejtësinë për një mendje të shëndoshë. Madje dhe ata që u nxituan me prononcimet pro-izraelite në ditët e para të agresionit, u tërhoqën dhe iu bashkuan demonstratave, si për të vërtetuar se vetëm dy gjëra nuk nënshtrohen dot: i. mendjet e ndritura dhe ii. ndërgjegjet e gjalla. Por ku ka dështuar njerëzimi sot?

Të qenit ‘politikisht korrekt’ në stilin e ligjërimit të viteve 90′ konsiderohej auto-satirë, tani s’ka shaka me të. Në emër të korrektësisë politike, sot shalli ‘kuffiya’ apo flamuri palestinez janë kërcënim i sigurisë kombëtare; protestat në mbarë Europën janë shprehje e mendimit dhe qëndrimit të lirë demokratik përveç rasteve kur qëndrimi nuk bie dakort me politikat globale si në rastin e Palestinës. Por nuk duhet harruar se sistemi politik i globit sot është jo më shumë se 100 vjet i vjetër. Një sistem i tillë liberalizmi institucional është i bazuar në narcizëm, i cili ka të bëjë me pozicionimin e vetes si një agjent neutral dhe racional në mes të dy palëve “ekstreme”. Nuk është një ideologji e bazuar në një qëndrim parimor, por një ideologji relativiste, shqetësimi kryesor i së cilës është epërsia morale. Ngjarjet e tetorit në Palestinë po na dëshmojnë se nuk ka rëndësi nëse njëra palë po advokon për gjenocid dhe tjetra po lufton kundër gjenocidit, ju duhet të pozicionoheni në mes. Sepse përsëri, nuk ka të bëjë me vlera, parime apo qëndrime. Liberalizmi ka të bëjë me vetë liberalët dhe dëshirën për t’u parë si një arbitër racional dhe moralisht superior midis ekstremeve. Narcizëm i pastër! Kështu që nuk duhet harruar se sistemet politike nuk mund të diktojnë kurrë kodin njerëzor moral. Mjafton të kujtojmë se si i njëjti sistem politik dënoi Nelson Mandelën dhe Jasir Arafat, dhe po i njëjti sistem i vlerësoi me çmimin Nobel disa vite më vonë.

Një Palestinë e lirë nuk është në interes të askujt. Një Palestinë e lirë parësisht indikon fundin e shtetit Izraelit, gjë që do t’i hapte fuqive botërore telashe të mëdha. Opinioni botëror i masave qëndron fort në anën e Palestinës. Izraeli e di se mbështetja e SHBA-së është e vetmja gjë që e mban atë. Lufta rajonale duket e pashmangshme. Me gjasë jemi dëshmitarë të rënies së Izraelit. Termi ‘terrorizëm’ po humbet vlefshmërinë e tij mes njerëzve që janë të aftë të mendojnë në mënyrë kritike për çështjet gjeopolitike botërore. Po bëhet gjithnjë e më e qartë për masën se është në fakt një frazë e klasës sunduese që synon të njollosë vetë njerëzit që po shtypin.

Por ngjarjet duhen kuptuar drejt. Nëse mendojmë se çfarë po ndodh në Palestinë është një test, dijeni se ata që po testohen në të vërtetë është bota dhe jo banorët e Gazas. Izraeli po firmos çdo ditë e më shumë fundosjen e tij. Palestinezët e kanë kaluar me sukses testin e tyre ndërsa njerëzimi po dështon çdo ditë e më shumë. Pikërisht këtu qëndron kriza jonë më e madhe humanitare. Palestinezët nuk kërkojnë ujë, ushqim apo mjekime, pavarësisht izolimit ç’njerëzor totalitar sionist të Gazas. Ata vazhdojnë t’u bëjnë thirrje ndjeshmërisë njerëzore si nder ndaj njerëzimit, dhe kurrsesi përulje. Ata janë njerëz të cilët janë zotuar të fitojnë lirinë e tyre me çdo kusht; e kanë shitur jetën e tyre në këmbim të së drejtës. Mjafton që Palestina të prevalojë, pa janë krenarë të japin jetën, pasurinë, familjen për të ruajtur dinjitetin e tyre. Po për ne të tjerët sot, në komoditetin e shtëpive tona dhe privilegjit të një jete pa bombardime, çfarë i jep kuptim jetës sonë në mos drejtësia e dinjiteti?

Të qëndrosh me Palestinën do të thotë të kuptosh se askush sot nuk është më i lirë se 2.3 milionë banorët e Gazas (numër ky që ka rënë ndjeshëm nga jetët e humbura). Të kërkosh lirinë e Palestinës sot do të thotë në fakt të kërkosh çlirimin tënd parësisht. Liria sot frymon në 363 km2. E gjithë pjesa tjetër e botës është peng. Sheshet e pushtuara nga qindra, mijëra e miliona demonstrues pro-palestinezë theksojnë se masat sot solidarizohen me popullin palestinez dhe s’kanë asgjë të përbashkët me sionistët gjakpirës. Gjeneratat e reja sot nuk habiten kur dëgjojnë se qeveritë e tyre janë të korruptuara, se ata nuk përfaqësojnë parësisht interesin e popullit, se ata qëndrojnë me shtypësin dhe fshihen pas pretendimeve të rreme si “luftimi i terrorizmit” për të racionalizuar gjenocidin.

Ka ardhur koha të rishikojmë mbi ç’vlera kemi ndërtuar jetët tona, mbi ç’parime po ecim si shoqëri? Një shoqëri individësh të cilët pretendojnë se e kanë ndërtuar jetën mbi nocionin e drejtësisë dhe lirisë, s’mund të bëjë sehir ndërkohë që gjenocidi transmetohet live në ekranet e gjithësecilit. Imazhet të cilat po transmetohen nga Gaza duhet të na përndjekin në gjumë, në punë, në shtëpi, në shkolla, në rrugë, në kafene derisa të riformatojmë sistemin e jetës. Asgjë nuk e arsyeton imazhin e babait me gjysmën e trupit të mbetur të fëmijës së tij në duar teksa i drejtohet botës së babëzitur nëse janë ngopur.

___
*shifrat e përmendura u referohen statistikave të fillim-nëntorit 2023, të cilat janë dyfishuar përgjatë ditëve të gjenocidit.


Leave a comment